Sulltan Novruzi është një festë e veçantë për besimtarët bektashinj, që simbolizon ardhjen e pranverës dhe rigjallërimin e natyrës dhe shpirtit. Me këtë rast, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, për çdo vit hap dyert për të pritur në një aktivitet të madh festiv qindra besimtarë.

Që në orët e para të mëngjesit, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Edmond Brahimaj, del para hyrjes së Selisë së Shenjtë për të pritur e bekuar çdo besimtar, një ritual ky tepër i rëndësishëm për ta. Në mesazhin e urimit për festën, Kryegjyshi botëror Haxhi Edmond Brahimaj, kërkoi me shumë vëmendje ndaj personave në nevojë.

Në këtë festë, nuk mungojnë as personalitetet nga politika apo fusha të ndryshme të jetës jo vetëm nga Shqipëria, por mbarë trojet shqiptare. Si gjithmonë pritja më e veçantë është ajo për Presidentin Ilir Meta, që i përket besimit bektashian.

Pas koncerit të madh me këngë e valle nga treva të ndryshme, Kryegjyshi zhvillon pritjet zyrtare me drejtues të lartë të vendit. Si gjithmonë festat i bëjnë bashkë politikanët, të cilët nga vendet e shenjta përcjellin edhe mesazhet për një Shqipëri më të mirë, paqe dhe dashuri mes njerëzve.

Festa e Sulltan Novruzit përkon me lindjen e Abaz Aliut. Ndezja e qirinjve, falja në tyrbe, janë dy ritet më të veçanta për besimtarët. Një vëmendje e veçantë në festat e bektashinjve janë edhe gatimet, një traditë e ruajtur prej brezash. Madje, dikur festa e Sulltan Novruzit, që simbolizon ardhjen e pranverës pritej me shumë hare në çdo shtëpi.

Themeluesi i besimit bektashi është Haxhi Bektash Veliu, cili themeloi të parën teqe në botë, në vitin 1282, e cila mori famë dhe u njohë në gjithë botën, sot quhet qyteti Nevshehirit, Haxhi Bektash.

Rrënjët e urdhrit bektashian (tarikat) në Shqipëri datohen që prej më shumë se 8 shekujsh, kur misionari Sari Salltik erdhi në Malin e Krujës dhe la gjurmë të veprës së tij në gjithë teritorin e Shqipërisë dhe Ballkanit.

Në vitin 1925, me vendim të parlamentit turk, u mbyllën teqet dhe tyrbet në Turqi. Tre vite më pas, në Kongresin e III bektashian që u zhvillua në Shqipëri në vitin 1929, në teqen e Turanit Korçë, u vendos që Kryegjyshata Botërore Bektashiane të transferohej nga Turqia në Shqipëri nën drejtimin e Kryegjyshit Sali Niazi Dede me origjinë nga Starja e Kolonjës.