Avokati i Popullit gjen shkelje të policisë dhe Prokurorisë gjatë ndalimit dhe arrestimit të 23 personave në Kukës pas protestës kundër tarifës në Rrugën e Kombit.

Në një raport të publikuar, Avokati i Popullit vëren se urdhërat e ndalimit të nxjerrë nga Prokuroria nuk përmbajnë asnjë arsyetim në lidhje me shkaqet që kanë çuar Prokurorinë në zbatimin e privimit të lirisë. Nga ana e Prokurorisë dhe Policisë nuk janë evidnertuar veprime konkrete për të dokumentuar orën në të cilën i është kërkuar policisë zbatimi i këtyre urdhrave të ndalimit.

As të ndaluarve dhe as familjarëve të tyre nuk u është komunikuar një kopje e urdhërit të ndalimit, në momentin e ndalimit. Problematikë shihet edhe ora e ndalimit pasi ka mospërputhje mes procesverbaleve të komisariateve dhe ndalimeve të kryera në terren. Nga 23 të arrestuarit pas protestës, 11 prej tyre janë ende në qeli.

Një ditë përpara se togat e zeza të Apelit në Shkodër të rishikojnë masën e sigurisë, qytetarë dhe familjarë të të arrestuarve protestuan duke kërkuar lirimin. Në mbështetje të 11 protestuesve të arrestuar në Gjykatën e Apelit në Shkodër do të jenë edhe deputetë të opozitës, pas vendimit të marrë në mbledhjen e grupit parlamentar.