Kërkesa e grupit kundërshtar të Lulzim Bashës, që nga Arben Imami e deri te kritikë të tjerë të njohur në PD për t'i kufizuar mandatin Lulzim Bashës nuk është marrë parasysh.

Në fakt, në propozimet që grupi i punës ka bërë për ndryshimin e statutit të Partisë Demokratike, disa risi të rëndësishme duket se janë ato që lidhen me mandatin e kryetarit, me kompetencat e Kuvendit Kombëtar të Partisë si dhe bordin financiar që do të kontrollojë veprimtarinë e tij ekonomike.

Kryetari aktual Lulzim Basha, në bazë të këtyre propozimeve dhe më konkretisht të nenit 51, në rast se statuti miratohet, nuk do të ketë kufizime automatike në mandatin e tij.

Kjo do të thotë, se pavarësisht se sa zgjedhje mund të humbasë, kjo nuk do ta zhvishte direkt atë nga kompetencat e kryetarit të partisë.

Mirëpo një tjetër nen i rëndësishëm është ai që i jep Kuvendit Kombëtar disa të drejta mbi kryetarin.

Sipas pikës 4 të nenit 48, Kuvendi Kombëtar vendos për shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Kjo do të thotë se për arsye të ndryshme, nëse Kuvendi e sheh të arsyeshme, ai mund ta shkarkonte Bashën, por nëse këtë e miraton me 50+1 përqind të votave Këshilli Kombëtar.

Vetëm se në partitë politike shqiptare, Kuvendet dhe Këshillat kombëtarë të partive, përbëhen në masë dërrmuese nga njerëz të emëruar apo caktuar në forma të ndryshme nga kryetarët.