Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë sot në Samitin e radhës së Krerëve të Shteteve të Procesit të Brdo-Brijuit, që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë. Të ftuar të veçantë në këtë Samit ishin Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, si dhe Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta vlerësoi ndër të tjera se, së bashku kemi shfrytëzuar çdo moment për t?u angazhuar në një dialog të drejtpërdrejtë, megjithëqë jo gjithmonë kemi rënë dakord.

Duke iu referuar ambicies së përbashkët të integrimit evropian për krijimin e një klime të besimit reciprok dhe të mirëkuptimit, Presidenti Meta, theksoi gjithashtu se, fatkeqësisht, në muajt e fundit kemi parë kthim mbrapa te retorikat dhe veprimet provokuese, të cilat sidoqoftë kanë qenë të izoluara.

Kreu i Shtetit shprehu mbështetjen e ambicies për integrimin në NATO për të gjitha vendet e rajonit që e aspirojnë dhe nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën Transatlantike nuk është kundër ndonjë vendi tjetër në rajon, por për të forcuar arkitekturën e sigurisë së rajonit, që ende është i paqëndrueshëm.