Eduard Selami ka shpërthyer në akuza ndaj Lulzim Bashës në Kuvendin Kombëtar të PD. Ish-rivali i Bashës për kryetar të PD tha se në PD po rikthehet 95-a, ajo që sipas tij solli shkatërrimin më pas.

Mes vërshëllimave të mbështetësve të Lulzim Bashës, Selami i kërkoi kryedemokratit të tërheqë statutin dhe të bëjë analizë për tre humbjet e fundit të demokratëve. Sipas tij, statuti i jep Bashës pushtet të pakufizuar, pasi ai mund të shkarkojë këdo që mban qëndrime, apo del kundër kryetarit, pa pasur pengesa statutore.

PD s'ka pasur problem statutin. Duhet të bënim një analizë të thellë për rezultatin e humbjes, janë tre humbje rresht. Por nga viti 1995 kemi probleme me demokracinë e brendshme, me respektimin e anëtarëve, me respektimin e statutit.

Fatkeqësisht statuti po kthehet në problemin tonë. Kryetari do të zgjedhë, sërish do të kemi listat e kryetarit. Statuti e kthen partinë në funksion të kryetarit.

Më vjen keq që në statut përmendet disa herë fjala përjashtim. Hapeni Partinë Demokratike, bëni analizën e zgjedhjeve, keni humbur dy palë zgjedhje, tërhiq draft-statutin, pasi është më i keqi në gjithë historinë e PD-së.

Kjo është qeverisja më e keqe në historinë e PD-së, por ne nuk ngjallim shpresë. Ky është statuti më i keq që ka pasur ndonjëherë PD. Në 95 kërkuat ikjen time, dhe vajti aty ku vajti Shqipëria. Ky statut e ka kthyer PD-në në shërbim të një njeriu.

Z.Basha, lidershipi është vizion, është vlerë. Ky është statuti i përjashtimit, shikoni nenin 47 dhe 45. Basha shkarkoi 24 kryetarë degësh, e morën vesh nga televizioni ata, u shkel statuti. Tani e ka me statut, i shkrin kur do. Z.Basha tërhiqe këtë statut, bëj analizën e humbjeve, ke dy humbje rresht.

Eduard Selami, ish-deputet i PD