Mbase po të ktheheshim një vit më pas në këtë kohë, këto pamje do të mendoheshin si të filmuara në fund të Qershorit, e askush nuk do ta besonte se jemi ende në Prill.

Edhe pse i pashpallur dhe i papritur sezoni turistik veror ka mbërritur më shpejt se çdo herë tjetër, e këtë radhë nuk e kanë sjellë as organizimet e institucioneve, e as bizneset, pjesa më e madhe e të cilëve janë gjendur të papërgatitur për këtë fluks. Sezoni veror këtë vit erdhi më shpejt nga moti i ngrohtë dhe turistët, të cilët nuk i kanë rezistuar temperaturave.

Temperaturat deri në 30 gradë të bëjnë të mendosh se je në prag të pushimeve, e madje për disa nuk do shumë guxim që të provojnë e të lahen në det.

Shumë prej pushuesve pranojnë që kjo është hera e parë që kanë ardhur në bregdetin e jugut në këtë periudhë, por sigurisht që përpara se të gjenin qetësinë që premtohet në këtë periudhë, kanë parë plazhe të mbushura plot.

Prej dy javësh qindra vizitorë kanë zgjedhur plazhin në vend të malit për të pushuar, e nëse koha do të vazhdojë me të njëjtat temperatura, atëherë Shqipëria këtë vit do të nisë të konkurrojë vendet e rajonit me plot 5 muaj turizëm bregdetar!