Ky është Xhafer Osmani, 61-vjeçari nga Pestova e Vushtrisë, i cili dyshohet se është personi që u shkrumbua brenda një makine të premten në afërsi të fshatit Borizanë, Fushë-Krujë. Dy ditë pas ngjarjes, policia dhe prokuroria e Krujës, kanë marrë deklarimet e pjesëtarëve të familjes. Ata i kanë konfirmuar hetuesve se makina, e cila u gjet e djegur ishte e 61-vjeçarit. Por pritet përgjigja e ADN-së, për të konfirmuar që trupi i djegur i përket atij.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti u ka thënë mediave vendase se më 4 Maj, familjarët e kanë raportuar si të zhdukur Osmanin.

Kurse burime të Policisë Shqiptare treguan se ai ka hyrë bashkë me mjetin e tij nga Morina, më 29 Prill. Për disa ditë me radhë ai nuk u ishte përgjigjur thirrjeve telefonike të familjarëve.

Të njëjtin fakt familjarët ua përsëritën hetuesve të policisë në Krujë. I fundit që ka kontaktuar me Osmanin ka qenë një prej nipërve të tij. Ai ka pohuar se xhaxhai i kishte thënë se do të ikte në Shqipëri vetëm, pasi kishte disa punë për të mbaruar.

Ka dyshime që burri mund të jetë ekzekutuar pak pasi ka hyre në Shqipëri dhe më pas makina bashkë me trupin e tij u dërguan në vendin ku dhe i është vënë flaka.

Dyshimet e para ishin për një hakmarrje nga ish-miqtë e kosovarit në Fushë-Krujë. Por verifikimet e kryera i kanë hedhur poshtë këto dyshime.

Një zyrtar i policisë i tha Televizionit Klan, që vendasit e njihnin Osmanin si pronar të një lokali me muzikë, në të cilin punojnë dhe vajza nga zona ku u gjet makina e djegur. Në vendin ku u gjet makina ka ende mbetje kockash, siç shikoni dhe nga pamjet, ndërsa makina është larguar nga policia.

Tv Klan