Përpara se të marrë një vendim nëse do të mbështesë apo jo çeljen e negociatave të Shqipërisë në Këshillin Europian, Holanda do të bindet nëse vendi ynë e meriton këtë hap të radhës në procesin e integrimit. Pikërisht për këtë arsye, 8 deputetë të shtatë partive të ndryshme të Parlamentit holandez kanë nisur këtë të hënë një mision faktmbledhës 2 ditor.

Vizitën e kanë nisur me një takim me ministrin e Jashtëm Bushati. Më pas gjatë paradites janë pritur ne Kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama, ndërsa në një drekë pune kanë patur mundësi të takohen dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha si dhe me anëtarët e komisioneve parlamentare të Jashtëm dhe të Integrimit. Vetë deputetët në përfundim të këtyre takimeve që do të vijnë dhe me Presidentin dhe kreun e Kuvendit, thonë se qeveria holandeze është ekstremisht hezituese dhe se nuk mjafton vetëm ajo që është bërë pasi sipas tyre zyrtarët e korruptuar të çdo niveli duhet të hetohen dhe dënohen nga drejtësia.

"Është bërë një propozim nga Komisioni Europian dhe për çeljen e negociatave dhe për këtë qeveria jonë e ka tashmë pozicionin e saj të shprehur dy javë më parë. Qeveria jonë është ekstremisht hezituese për hapjen e negociatave me Shqipërinë këtë moment. Prandaj ne si parlament vendosëm të organizojmë këtë mision faktmbledhës me anëtarë të 7 partive të ndryshme politike holandeze, pra të gjitha partitë kryesore janë këtu. Më pas ne do te kemi një debat se si po shkon zbatimi 5 prioriteteve. Anëtarët e delegacionit kanë bërë shumë pyetje ndër me kryesoret ato që lidhen me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qeveria jonë do ta thotë fjalën e fundit, por përpara do të duhet të ketë aprovimin nga parlamenti".

Kryetarja socialiste e Komisionit të Jashtëm Mimi Kodheli dhe deputetja demokrate Jorida Tabaku ndajnë qëndrime të ndryshme pas takimit me deputetët holandezë.

"Deputetët morën një paraqitje si nga opozita dhe shumica për procesin për zbatimin e 5 rekomandimeve. Unë besoj se ishte takim i frytshëm dhe shumë pozitiv për ça u tha dhe u dëgjua", u shpreh deputetja Kodheli.

"Opozita kërkoi që parlamenti holandez të mbështes hapjen e negociatave. Ata kanë shqetësime për krimin dhe drogën. Qëndrimi jonë ka qenë që hapja e negociatave do të ndihmojë që qeveria të monitorohet. Holanda heziton si pasojë e krimit shqiptar në Roterdam dhe Amsterdam, por edhe rritjen e krimit dhe trafikut të drogës në Shqipëri. Ne jemi optimistë, opozita do e mbështesë procesin", theksoi deputetja demokrate Jorida Tabaku.

Ne fund të vizitës, 8 deputetë do të hartojnë një raport që do t'i dorëzohet parlamentit holandez.