Posta sekrete e Prokurorisë së Durrësit ka rënë pre e grabitjes. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të paradites së sotme, ku kanë qenë dy persona, të cilët kanë sulmuar postierin dhe i kanë marrë dokumentet që kishte me vete. Dyshohet se dokumentet e marra janë me mbishkrime sekrete, por që nuk dihet ende të çfarë rëndësie janë ato, ndërsa grabitësit janë larguar menjëherë nga vendngjarja.<br /><br />Burime nga organi i Prokurorisë së Durrësit bëjnë me dije për Report Tv se është grabitur posta e fshehtë e këtij institucioni. Bëhet e ditur se kjo postë i nënshtrohet një regjimi të caktuar trajtimi, ndërsa shoqërohet me persona të veçantë.<br /><br />Nuk dihet ende se sa dokumente janë marrë, por policia bën me dije se grabitësit kanë sulmuar postierin dhe i kanë marrë disa materiale që i kishte tërhequr nga Posta. Burime nga Prokuroria sqarojnë se kjo postë është proces rutinë, ndërsa shtojnë se dosjet e rëndësishme dërgohen dorazi nga vetë hetuesit dhe nuk ja besojnë postës.
