Ish-ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, u shpreh se nuk ka një kërkesë nga autoritetet italiane, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri, për ekstradimin e vëllait të Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë për trafik droge.

Teksa opozita akuzon Fatmir Xhafajn se ka penguar ekstradimin e vëllait të tij, duke manipuluar edhe Kodin e Procedurës Penale, përfaqësuesi i PD, Gazmend Bardhi, thotë se nuk ekziston një kërkesë e tillë. Sipas tij, nuk mund të ketë kërkesë për ekstradimin e Agron Xhafaj, për sa kohë Policia Shqiptare nuk ka njoftuar autoritetet italiane, se ky person i dënuar ndodhej në Shqipëri.

Ish-ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, përfaqësues i PD, shprehet se Kodi i Procedurës Penale, i ndryshuar, nuk përputhet me Konventën Evropiane të Ekstradimeve.

-Z. Bardhi, në dijeninë tuaj, duke përfshirë edhe periudhën kur ju keni qenë Ministër i Drejtësisë, a ka pasur dhe a ka një kërkesë nga autoritetet italiane për ekstradimin në Itali të vëllait të Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë për trafik droge?
Që të ketë kërkesë për ekstradimin një personi, fillimisht duhet të identifikohet se ku ndodhet personi, që është detyrë, sipas ligjit, e Policisë Shqiptare, meqë e dinë se Agron Xhafaj është në Shqipëri. Në momentin që e identifikon personin, i njoftohet Italisë që ky person është në Shqipëri. Nuk mund të ketë kërkesë për ekstradim, pa e ditur se ku është personi. Informimin duhet ta bëjë Interpol Tirana që ky person është në Shqipëri.