Agron Xhafaj po e vuan dënimin e tij për trafik droge në burgun e Çivitavekias, pranë Romës në Itali. Por ai nuk do të qëndrojë në qeli 7 vjet e 2 muaj, sa kishte vendosur Gjykata e Kasacionit në vitin 2012.

Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo sqaron ekskluzivisht për Televizionin Klan se vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është dorëzuar vullnetarisht në Policinë Kufitare italiane, por flet për një masë tjetër dënimi.

"Personi është dorëzuar vullnetarisht në Policinë Kufitare të Fiumicinos dhe është transferuar në burgun e Civitavecchia pranë Romës, ku do të vuajë dënimin. Pak a shumë dënimi ishte 4 vjet e dy muaj. Pasi vuajti një muaj, në kohën kur u arrestua mbeten edhe 4 vjet e 28 ditë. Në të tilla raste nëse i burgosuri bën kërkesë mund të lirohet shumë më herët se kjo datë. Nuk e di si do të zhvillohet çështja, por me shumë mundësi periudha që duhet të kalojë në burgim do të jetë shumë më e shkurtër".

Diplomati italian sqaron edhe përse nga shteti italian nuk është pati kërkesë për ekstradim për Agron Xhafajn.

"Personi është dënuar në Itali, por sipas rregullave të brendshme italiane, kur dënimi nuk kalon një masë të caktuar nuk kërkohet ekstradim, sepse impenjimi për këtë kërkesë është shumë më i madh se mundësia që të vuhet një dënim kaq i shkurtër. Kemi mijëra raste të tillë dhe ky nuk është një përjashtim. Dënimet me pak se 3 vjet nuk vuhen në burg nëse nuk ka përsëritje të krimit. Ndërsa për ato mbi 4 vjet shkohet në shërbime sociale, gjithsesi nuk shkohet në burg. Dënimet që nuk e kalojnë këtë masë nuk konsiderohen mjaftueshëm të rënda për të justifikuar procedurën e ekstradimit".

Agron Xhafaj u dorëzua në Itali më 16 Maj, pak ditë pasi opozita publikoi dosjen e tij me dënimin për trafik droge dhe një audiopërgjim, që sipas saj e implikonte atë në një tjetër rast të trafikut të drogës kohët e fundit në Shqipëri. Opozita akuzoi Ministrin e Brendshëm se i ka ofruar mbrojtje të vëllait dhe kërkoi dorëheqjen e tij, por këto akuza u hodhën poshtë nga Xhafaj dhe mazhoranca.

Tv Klan