Sërish diskutime të gjata dhe të vështira në gjirin e 28 ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Europian mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Europian.

Tre vendet që janë shprehur skeptike javën e shkuar nuk kanë ndryshuar qëndrim në takimin e sotshëm. Gjatë diskutimeve, ambasadori francez ka ripërsëritur që Franca është aktualisht kundër zgjerimit, por mbetet e angazhuar për të ndihmuar vendet aspirante në forma të ndryshme për të avancuar me reformat kyçe të integrimit europian.

Ambasadori holandez është shprehur se Holanda është kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit nëse nuk ka rezultate të mëtejshme konkrete në Reformën e Drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ambasadori gjerman ka qenë i gjatë në diskutimin e tij, por nuk ka shprehur një qëndrim të qartë nëse Gjermania është pro hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE apo jo.

15 shtete anëtare janë të palëkundura në përkrahjen e tyre për hapjen e negociatave dhe kanë insistuar që të arrihet dakordësia mbi formulimin e tekstit. Ka patur një lloj tensioni lidhur me këtë, duke qenë se nuk ka kohë për të diskutuar sërish, pasi vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë merret të martën.

Takimi i sotëm i ambasadorëve të përhershëm është vendimtar për arritjen e një teksti mbi të cilin shtetet anëtare mund të marrin vendimin e tyre. Sipas versionit të deritanishëm, Këshilli i Ministrave pritet të shprehet në favor të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke ftuar Komisionin Europian të raportojë mbi paraqitjen e rezultateve konkrete të mëtejshme në përmbushjen e parakushteve para Konferencës Ndërqeveritare, që përbën edhe fillimin konkret të negociatave të anëtarësimit.

Thënë ndryshe, versioni provizor i tekstit thotë se Këshilli, aktualisht është në favor të një rekomandimi të kushtëzuar dhe pa data për hapjen e negociatave të Shqipërisë në BE.

Tv Klan