Goditet një grup i organizuar kriminal shqiptar për vjedhjen e banesave në Francë dhe Gjermani. Në një njoftim të shpërndarë nga Policia e Shtetit, thuhet se Gjermania, Franca, Shqipëria dhe Europoli, punuan krah për krah për t'i vendosur autorët e krimit para drejtësisë. Pesë persona janë arrestuar si pjesë e bandës që ka grabitur disa banesa në jug të Gjermanisë, ndërsa në Francë, llogariten 45 banesa të thyera nga i njëjti grup.

Një prej anëtarëve të bandës është arrestuar në Kukës. Gentjan Duraku, 29 vjeç, lindur dhe banues në Kukës u prangos në banesën e tij. Siç duket edhe nga pamjet e shpërndara nga Policia e Shtetit, në operacion ka marrë pjesë edhe një efektiv i policisë gjermane.

"Si pjesë e një hetimi të përbashkët mbi një seri vjedhjesh banesash në Gjermani dhe Francë, oficerët e policisë shqiptare në bashkëpunim me homologët e tyre gjermanë dhe francezë dhe me mbështetjen e Europolit, javën e kaluar kontrolluan një numër të madh pronash në Shqipëri dhe arrestuan një shtetas të dyshuar se i përkiste një grupi të lëvizshëm të krimit të organizuar.

Kjo është faza e fundit e veprimeve në një hetim që ka paraprirë tashmë arrestimin e katër anëtarëve të tjerë të të njëjtit grup kriminal. Hetimi u nis nga autoritetet gjermane në Offenburg në gusht 2017, pasi një grup i krimit të organizuar shqiptar ra në rrjetën e tyre, për kryerjen e një numri vjedhjesh banesash në jug të Gjermanisë.

Në të njëjtën kohë, xhandarmëria franceze (OCLDI) po heton gjithashtu një grup kriminal shqiptar përgjegjës për më shumë se 45 vjedhje banesash në Francë.