Në 5 muajt e parë të vitit kreditimi për ekonominë u tkurr me 90 milionë euro, duke shënuar shifrën më të ulët në 6 vitet e fundit. Goditja më e madhe është marrë në dy muajt e fundit, Prill dhe Maj, ku portofoli i huave është rrudhur me 52 milionë euro. Kjo goditje përkon edhe me periudhën kur kursi i këmbimit pati luhatje të mëdha dhe euro u zhvlerësua më ritme të larta.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë kredia në valutë është ajo që ka krijuar hendekun negativ të kreditimit, ndërsa ajo në lekë paraqitet me një rritje të moderuar.

Një vrojtim i Bankës Qendrore vëren se kërkesa si nga biznesi edhe nga individët gjatë kësaj kohe për të marrë një hua është e lartë, por bankat kanë shtrënguar standardet miratimit të kredisë. Arsyet kryesore që renditen janë rreziqet e lidhura me kolateralin dhe kufizimet nga marrja e bilancit zyrtar të biznesit.

Në fund të Majit normat e interesit për kredinë në lekë u ulën, ndërsa pësuan një rritje me 0.1% për atë në euro dhe 0.7 për huatë në dollarë.

Tv Klan