Ky është Arjan Ferracaku, 30-vjeçari i cili rreth orës 13:50 të kësaj të shtune u gjet i vrarë me armë zjarri në Shkodër. Trupi i të riut u gjet përtokë, rreth 600 metra larg një automjeti të djegur, në breg të liqenit tek hidrovori i fshatit Dobraç.

Në momentin e vrasjes, 30-vjeçari ishte sëbashku me dy kushërinjtë e tij, me të cilët kishte dalë për hipizëm. Ai u qëllua me dy plumba në kokë.

Shkaqet dhe autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë nuk dihen ende, ndërsa sipas policisë automjeti i gjetur i djegur nuk ka lidhje me vrasjen e Ferracakut.

Ky i fundit, sipas gazetarit të ABC News Simon Shkreli, ishte baba i dy fëmijëve dhe nga hetimet paraprake ai nuk rezulton të ishte njeri problematik.

Ndërsa babai i 30-vjeçarit është pronar i një hoteli në Velipojë dhe i një lokali në fshatin Zeus të Shkodrës.

Në vendngjarje shkuan forca të shumta policore, të cilat rrethuan zonën në një perimetër të gjerë dhe filluan krehjen e saj për kapjen e autorit/ëve. Shërbimet e tjera kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore rurale të asaj zone.

Autoritetet kanë shoqëruar në komisariat kushërinjtë me të cilët ndodhej viktima për t'u marrë në pyetje.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit.