Të rinjtë sipërmarrës ka qenë fokusi i trajnimit mbështetur nga ministria e Financave dhe GIZ, nëpërmjet të cilit 96 persona të trajnuar për 10 ditë dhe këshilluar për rreth dy muaj nga projekti IDEA morën certifikata për idenë e tyre të biznesit.

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar pjesëmarrësit u njohën me fazat e tjera të përfitimit të grantit nëpërmjet të cilit do të kenë edhe përfitim financiar, 4000 euro për ata që aplikojnë vetëm dhe 7000 euro për ata që aplikojnë në çift.

Arjan Grëmbi është një prej fituesve. Ai punon si oficer bankar prej 10 vitesh, por rreth 4 vite më parë ai mësoi për kultivimin e luleshtrydhes duke përfituar kështu edhe një profesion tjetër, atë të fermerit.

Prej 4 vitesh ai nisi të kultivojë luleshtrydhe në serra në zonën e Fierit. Sot, së bashku me mikun e tij Oltin kanë marrë pjesë në trajnim për të sjellë idenë e tyre të biznesit, kultivimin e luleshtrydheve në serra me kate.

Ideja që ne kemi është të investojmë në ndërtimin e serrave me kate në mënyrë që të intensifikojmë numrin e bimëve për të njëjtën sipërfaqe. Nëse sot kultivohen 7500 bimë në kultivimin tradicional në serrë me investimin e serrave me kate numri i bimëve shkon gati trefish.

Arjan Grëmbi-Fitues në trajnim
Sipas Arjanit ky investim do të sjellë gati dyfishimin e fitimit financiar për fermerët.

Në një sipërfaqe prej 1 dynym në një sezon total shkon fitimi në 400-500 mijë lekë të reja, ndërsa me investimin në serrat me kate, fitimi do jetë te 1.2 milionë lekë deri në 1.5 milionë lekë të reja për dynym.