Nëse partitë kryesore politike ruajnë peshën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 2017 edhe në zgjedhjet lokale të 2019, aleanca e shpallur ditët e fundit mes Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe PDIU nuk mjafton për të rrezikuar pozitat e Partisë Socialiste.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të gjitha së bashku, Partia Demokratike, LSI dhe PDIU kanë marrë gjithsej në rang kombëtar 758 383 vota, ndërsa Partia Socialiste ka marrë e vetme 764 750 vota ose 6 367 vota më shumë se sa aleanca e re opozitare. Konkretisht, në zgjedhjet parlamentare të 2017, në rang kombëtar, Partia Demokratike ka marrë 456 413 vota, bashkë me Partinë Republikane, Partinë Demokristiane, PBDNJ e drejtuar nga Vangjel Dule dhe Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 225 901 vota, ndërsa Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka marrë 76 069 vota. Diferenca e votave mes PS dhe grupit të partive PD-LSI-PDIU, thellohet nëse llogarisim edhe 14 993 vota të Partisë Socialdemokrate, e drejtuar nga Skënder Gjinushi, një parti kjo aleate tradicionale e Partisë Socialiste. Duhet konsideruar edhe fakti se Shpëtim Idrizi ka kaluar i vetëm në krahun e PD, pasi tre deputetë të PDIU do të kalojnë me mazhorancën. Mbetet për t?u parë se si do të reflektohet ky realitet në përballjen për drejtimin e 61 bashkive në zgjedhjet lokale të 2019.

Gjithsesi, nga zhvillimet e ditëve të fundit, në zgjedhjet e 2019, Partia Socialiste me shumë gjasa do të ketë përballë frontin opozitar të përbërë nga Partia Demokratike, LSI dhe PDIU. Në fillim të këtij sesioni parlamentar, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, shpallën aleancën për zgjedhjet lokale, aleancë e cila duket se ka pasur edhe miratimin paraprak nga dy njerëzit kryesorë të këtyre partive, përkatësisht Sali Berisha dhe Ilir Meta. Disa ditë më vonë, kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, deklaroi largimin nga koalicioni me Partinë Socialiste dhe kalimin në radhët e aleancës PD-LSI. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të PS, deklaroi se PS e ka garën me veten në zgjedhjet lokale të 2019, duke zhvlerësuar koalicionin e ri PD-LSI-PDIU. Kryeministri artikuloi kritika të ashpra në adresë të një pjesë të strukturave të partisë, ndërsa ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale që në vitin 2017.