Ligji i amenduar për ndërtimin e teatrit të ri është në tavolinën e punës së Presidentit të Republikës, ndërkohë që vetë kreu i shtetit ndodhet në SHBA, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB.

Ligji mban të njëjtin numër me atë që u kthye nga Presidenti në parlament për rishqyrtim. Maxhoranca, e cila e miratoi e vetme ligjin, shprehet se ai është i njëjti, pavarësisht ndryshimeve që iu bënë. Një praktikë e ndjekur dhe më parë sipas saj, edhe në kohën kur maxhorancën në parlament e kishin të djathtët.

Burime nga shumica thonë se ligji i është dërguar nga Kuvendi, kreut të shtetit, për shpallje siç e parashikon Kushtetuta.

Por amendimi i ligjit në fjalë ka çelur një debat të ri. Opozita që prej miratimit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, e cilësoi si antikushtetuese këtë hap të socialisteve. Pasi sipas saj, dekretet e presidentit pranohen ose rrëzohen dhe nuk mund të amendohen.

Në rastet kur dekretet pranohen siç ndodhi për Ligjin për Teatrin, demokratët thonë se ligji në fjalë bëhet nul. Ata thonë se me amendimet që iu bënë konsiderohet një ligj i ri, çka sipas Kushtetutës i jep të drejtën presidentit ta kthejë sërish në Kuvend për rishqyrtim.

Por ndryshe mendon shumica, burime pranë saj i thanë Tv Klan se presidenti është shprehur një herë për ligjin në fjalë ndaj kreu i shtetit mund t'i referohet vetëm nenin 85 të Kushtetutës për Ligjin për Teatrin, i cili parashikon që Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë.

Në këtë rast, thonë të njëjtat burime, Kreu i Shtetit ka dy rrugë ose ta dekretojë, ose ta miratojë në heshtje. Gjithsesi fjalën e fundit e ka presidenti Meta, i cili ka 20 ditë afat për t'u shprehur për ligjin e amenduar të teatrit.