TIRANË- Banorët e Astirit kanë rinisur sot protestën në segmentin e Unazës së Re kundër projektit të Unazës së Madhe. Report Tv ka mësuar se banorët kanë hedhur kapsolla dhe tymuese në rrugë. Banorët po marshojnë sërish drejt ish-sheshit Shqiponja, njësoj si dje, ku bllokuan edhe rrugën tek Dogana duke krijuar kaos dhe trafik.<br /><br />Në mbështetje të tyre kanë shkuar sërish deputetët demokratë, Klevis Balliu dhe Flamur Noka. Policia ka ndërhyrë për të liruar rrugën por ka hasur në rezistencën e banorëve, të cilët nuk pranojnë të largohen. Në ndihmë të policisë kanë mbërritur edhe FNSH. Ndërsa mësohet se janë shoqëruar disa persona në komisariat.<br /><br />Kjo është dita e 16-të e protestës së tyre, ndërkohë që ditën e sotme ka reaguar sërish edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për këtë çështje. Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një deklarate u ka bërë një thirrje të gjithë banorëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Re dhe nuk kanë marrë ende kontakt me ARRSH-në, të paraqiten pranë institucionit me të gjitha dokumentet përkatëse.