Pak minuta pasi doli nga lavazhi ku ishte parkuar, kjo makinë Benz e biznesmenit Agron Alushajt u hodh në erë me shpërthim të telekomanduar. 48-vjeçari e lëvizi automjetin vetëm 5 metra nga vendi i parkimit, kur autorët aktivizuan mekanizmin shpërthyes.<br /><br />Atentati mafioz ndodhi rreth orës 16:15 minuta në lagjen "Kushtrimi" në hyrje të Vlorës. Objektiv i sulmit me eksploziv ka qenë pikërisht Alushaj, i cili u dërgua në gjendje kritike në reanimacionin e spitalit. Mjekët konstatuan se ai ka dëmtuar rëndë gjymtyrët e poshtme, ndërsa ka marrë edhe plagë në fytyrë, por është jashtë rrezikut për jetën. <br /><br />Burime pranë bluve të Vlorës thanë për Televizion Klan se lënda eksplozive dyshohet të jetë vënë nga autorët poshtë sediljes së shoferit. Ende nuk dihet sasia e tritolit që u përdor, por nga pamjet duket qartë se shpërthimi ka dëmtuar edhe lokalin që ndodhet afër automjetit. Policia thotë se qëllim i autorëve ka qenë eliminimi i 48-vjeçarit. Të njëjtat burime thanë se po hetohet mbi të shkuarën e 48-vjeçarit dhe ndonjë konflikt të mundshëm të tij për çështje biznesi. Agron Alushaj mësohet të jetë pronar i një biznesi gurore në fshatin Drashoviç të Selenicës.
