TIRANE- Pas mbarimit të afatit të protestës, që ishte paralajmëuar në orën 14:30, studentët dhe mbështetësit e tyre nga opozita u ndanë në grupe. Një grup u nis në drejtim të Rrugës së Durrësit, për të ndaluar te rrethrrotullimi i 'Zogut të Zi', ndërsa grupi tjetër qëndroi te Kryeministria. Studentët mbajtën të paralizuar lëvizjen e automjeteve te "Zogu i Zi" për tre orë me radhë, duke shkaktuar kaos dhe trafik kilometrik (Lexo këtu).

Ndërkohë kryeministri Rama u bëri sërish thirrje studentëve që të zhbllkojnë rrugën e dialogut dhe të qarkullimit rrugor.

Mesditën e sotme, rreth orës 13:45, ka patur disa momente tensioni përpara kryeministrisë, kur disa studentë, por edhe persona të tjerë që i janë bashkuar tubimit të mbështetur nga opozita tentuan të çajnë kordonin e policisë, për t'iu afruar godinës së selisë së qeverisë. Njëri nga studentët deklaroi se qëllimi ishte që të rrethonin godinën e kryeministrisë në mënyrë simbolike, ndërsa akuzoi policinë për provokim. Pas tensionimit të situatës dhe thirrjeve kundër policisë disa nga studentët formuan një kordon përpara efektivëve për të mos lejuar përplasjen.

Protesta e studentëve, në ditën e 14, mbështetuar edhe nga militantë të PD-së dhe LSI-së ka nisur prej orës 10:00 të ditës së sotme, ndërsa qeveria nuk pranon të plotësojë tetë kërkesat e tyre pa dialoguar më parë. Kjo është dita e 14-të e protestës. Grumbullimi i studentëve nisi në orën 09:30 në fakultetet përkatëse, ku vendosën shirita në hyrjet e godinave, ndërsa te 'Ekonomiku' i vendosën drynin më pas nisi marshimi në këmbë drejt Kryeministrisë. Refreni ishte i njëjtë: "Plotësoni 8 kërkesat"! "Nuk duam dialog"!

Militantët e opozitës u janë përgjigjur thirrjeve të liderit të PD, Lulzim Basha (lexo këtu) dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi (lexo këtu) për pjesëmarrjen sot në protestë. Mes militantëve është edhe Gentian Gjonaj, i cili hodhi disa tymuese para Kryeministrisë. Kryeministri Rama reagoi duke deklaruar se opozita e gjymtoi protestën, ndërsa ftoi sërish studentët për dialog. Në protestën sotme ndodhen në gatishmëri rreth 500 efektivë policie, pasi i tremben ndonjë konflikti të mundshëm mes protestuesve, pasi ditën e sotme studentëve u janë bashkuar edhe militantët e PD dhe LSI pas thirrjeve nga liderët.