TIRANE - Zbardhen detaje të reja nga vrasja e 17-vjeçares, Griselda Gjikolaj dhe plagosjen e të dashurit të saj Erion Benga, 23-vjeç, pasditen e djeshme në Laprakë (Lexo këtu). Report Tv mëson se Erion Benga është konfliktuar me autorin i identifikuar dhe shpallur në kërkim tashmë nga policia i cili është një 19-vjeçar nga Puka, pasi dyshohet se ky i fundit kishte ngacmuar të Griseldën e cila ishte e dashura e Bengës. Identiteti i autorit nuk bëhet i ditur për arsye hetimore. Dje Erion Benga në shoqërinë e dy vajzave, mes tyre edhe viktima, kanë qenë në ambientet e një lokali te blloku "Gintash" kur kanë hasur edhe dy të rinj të tjerë me të cilët ishte në konflikt, një prej të cilëve autori. <br /><br />Erion Benga largohet më pas nga lokali i shoqëruar nga e dashura e tij dhe mendohet se autori i ka ndjekur nga pas. Benga dhe Griselda Gjikolaj kanë ecur në drejtim të një rrugice të errët për te automjeti i tij i parkuar disa metra larg lokalit. Sapo kanë hipur në një automjet tip "Benz E Class" me targa AA266MS dhe kanë nisur të lëvizin, ata kanë parë autorin. 19-vjeçari nga Puka ka qëlluar menjëherë me armë zjarri në drejtim të shoferit Benga. Por, siç duket edhe nga pamjet e sigururuara nga Report Tv (Lexo këtu), plumbi ka shkuar në xhamin e pasëm të automjetit dhe ka kapur në kokë Griselda Gjikolajn.<br /><br />E mitura humbi jetën, ndërsa Erion Benga mbeti i plagosur. Në drejtim të automjetit mësohet se është qëlluar katër herë, ndërsa autori, i ndihmuar edhe nga një person tjetër, duke përfituar edhe nga errësira, është larguar me shpejtësi duke humbur gjurmët. Report Tv mëson se policia ka ushtruar kontrolle në banesën e të dyshuarit nga Puka, me banim në Tiranë, por ai nuk është gjetur. Griselda Gjikolajn u dërgua në Spitalin e Traumës në gjendje kritike nga i dashuri i saj gjithashtu i plagosur, por humbi jetën prej plagëve të marra në kokë.
