Reshjet e dëborës vazhdojnë të bien me intensitet të lartë edhe gjatë mbrëmjes së të mërkurës në disa prej qarqeve, duke krijuar vështirësi të mëdha. Këto janë pamje që vijnë nga Kukësi, i cili është tërësisht i mbuluar nga dëbora. Ndërsa kjo është Rruga e Kombit, ku siç shihet, mjetet e rënda nuk lejohen të lëvizin, si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës.

E njëjta situatë është në edhe në Qarkun e Dibrës, ku gjatë pasdites situata u përkeqësua. Bllokime ka në zonën e Sllovës, ndërsa rruga Peshkopi-Tiranë është e kalueshme me zinxhirë

Rikthimi i dëborës ktheu vështirësitë në disa rajone të vendit.

Prefekti i Gjirokastrës kërkoi shpalljen e emergjencës pasi fshatrat Zagorie, Frashër, Kurvelesh e Golem janë të bllokuara. Në qytet trashësia e dëborës ka arritur në 30 centimetra, ndërsa qarkullimi në aksin Tepelenë-Gjirokastër është bllokuar dhe asnjë mjet nuk mund të lëvizë.

Në Librazhd dhe Prrenjas vëmendja është përqendruar në aksin Elbasan-Qafëthanë, ku automjetet qarkullojnë vetëm me zinxhirë. Nga 40 shkolla, mësimi vazhdon në 15 prej tyre.

Në Korçë, akset kryesore janë të hapura dhe kalohen me zinxhirë. Procesi mësimor është bërë me orë të shkurtuara edhe në Pogradec.

Moti i keq krijoi probleme edhe në qarkun e Lezhës. Në Mirditë mësimi u pezullua në shkollat e zonave malore. Ulja e temperaturave solli edhe ngrica në rrugë. Nuk munguan edhe aksidentet.

Ministria e Mbrojtjes thotë se situata do të jetë e tillë edhe në orët në vijim. Ministrja Olta Xhaçka paralajmëroi kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, që nuk përmbushin detyrën. Situata po monitorohet pa ndërprerje si nga ARRSH, për gjendjen e rrugëve, ashtu dhe nga OSHEE për problemet me energjinë elektrike.

Tv Klan