SHKODËR-Moti i keq me erëra të forta dhe reshje bore ka shkaktuar dëme të mëdha për fermerët në fshatin Kosmaç. Fshati i Kosmaçit është një nga zonat me sipërfaqen më të madhe të serave por pas reshjeve ato tashmë janë shkatërruar, duke shkaktuar dëme të mëdha në prodhime.

"Prej borës, serat janë shkatërruar, prodhime prej saj nuk kemi marrë, mundësi nuk kemi me e mbuluar. Jemi munduar në një farë mënyre që të krijojmë një farë jetese me këtë punë", u shpreh një fermer.

Fermerët shprehen të shqetësuar për dëmet dhe kërkojnë mbeshtetjen e strukturave të qeverisë për kapërcimin e kësaj situate.

"1 mijë metër katror që i kam, janë prishur. Nuk kam me çfarë t'i riparoj, subvencionime s'kemi marr hiç, nuk është interesuar askush. Ne jemi nën 0, nuk di nëse mund të jemi më keq se kaq", u shpreh një tjetër.

Nga ana tjetër kryeplaku i fshatit Kosmaç, Ali Idrizi shprehet se zona nuk e ka njohur asnjëherë përkrahjen e qeverisë.

"Fshati Kosmaç dihet se është një fshat perimor dhe nuk ka asnjë burim tjetër për të ardhura. Shteti dhe Drejtoria e Bujqësisë nuk i ka dhënë asnjë ndihmë këtyre fermerëve sepse thonë se këto nuk janë kushte për të marrë subvencione", deklaroi kryeplaku i fshatit, Ali Idrizi.

Shqetësimi i mungesës së fondeve për dëmshpërblimin e fermereve është ngritur disa herë në kronikat televizive, megjithatë askush nuk i ka marrë parasysh kërkesat e tyre. Kosmaçi është një nga zonat e nën Shkodrës, që mënyrën e vetme të të ardhurave e ka nga sektori i bujqësisë, mirëpo mungesa e përkrahjes nga qeveria ua vështirëson edhe më tepër situatën fermerëve .