Kryeministri Edi Rama ka bërë dy reagime të njëpasnjëshme në rrjetet sociale, pasi u qëllua me bojë nga nënkryetari i PD-së Edi Paloka, gjatë seancës në Kuvend. Ka postuar në Instagram foton e shiringës me bojë e cila tashmë është sekuestruar nga policia pas nisjes së hetimeve për lëndën me të cilën ajo ishte mbushur. Garda e Republikës thotë se është solucion kimik, ndërsa demokratët pretendojnë për bojë stilografi. "Penga e mendimtarit E.Th Palotha pas një derdhjeje të fuqishme mendimedh mbi rolin e opozitës në zhvillimin e vendit", shkruan Rama teksa ironizon edhe mënyrën e të folurit me "th" nga nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka.<br /><br />Në një postim të dytë në Facebook, Rama bën edhe më tej sarkazëm me opozitën, ku gjithashtu ka postuar edhe fjalën që mbajti në Kuvend, që shkaktoi edhe veprimin e papritur të Palokës. Rama ishte duke i kërkuar ndjesë kryeparlamentarit të Maqedonisë Talat Xhaferri, për faktin që Basha doli përtej axhendës së Kuvendit në seancën solemne për miratimin e marrëveshjes së anëtarësimit të Maqedonisë në NATO<br /><br />"Dy gjëra janë të pafundme, universi dhe budallallëku i njeriut", shkruante Albert Ainshtajni, përpara se sa opozita në Shqipëri të merrte formën e një Budallallëku Universal, që vizion ka Vezën e Lulit, ide ka Çizmen e Doktorreshës dhe program ka Bojën e Palothës", shkruan Rama.
