Banorët e fshatit Karaqevë të Kamenicë, fshat në afërsi të kufirit me Serbinë tani e 20 vjet jetojnë në ankth. Shumë toka kanë frikë ti punojnë për shkak të shqetësimeve nga xhandarmëria serbe. Policia e Kosovës dhe KFOR-i vizitojnë këtë fshat vetëm duke ndjekur rrugët alternative.

Kjo është rruga që të shpie në fshatin Karaqevë të Komunës së Kamenicës, fshat ky afër kufirit me Serbinë. Ndërsa kjo shenjë paralajmëron ndalesën e qarkullimit të automjeteve të veturave të KFOR-it dhe UNMIK-ut.

Ndonëse fshati është disa kilometra më tej, rruga që të dërgon atje, nuk shfrytëzohet edhe nga Polica e Kosovës dhe veturat e tjera zyrtaret të shtetit.

Banorët këtë rrugë e shfrytëzojnë në mënyrë ilegale, por nuk pengohen nga askush.

Selver Lenjani- Përfaqësues i Banorëve të Karaqevës :Ky nuk është problem vetëm i banorëve të këtushëm.

Këtu prapa meje është një postbllok i policisë së Serbisë, vend ky që shënon ndarjen administrative ndërmjet Kosovës e Serbisë, megjithatë në këtë vend ku jam unë e në fshatin Karaqevë shpesh hyn xhandarmëria serbe duke shqetësuar banorët e këtushëm.

Ismajl Kastrati 84 vjeç nga po ky fshat, thotë se familja e tij merret me bujqësi.

Por sipas tij janë të kufizuar për të punuar tokën meqë është në zonë kufitare. Ndërsa barinjtë shpesh janë arrestuar për tu gjobitur më pas në Vranjë të Serbisë.

Ismajl Kastrati- banori Karaqevës: Derisa tokat që i kanë në pjesën e Serbisë as nuk u shkon ndërmend ti punojnë.

Banorët thonë se tani e 20 vjet janë në mëshirë të fatit. Deri më tani janë ankuar në të gjitha institucionet relevante por kanë hasur në vesh të shurdhër.

Shpresat për një zgjidhje të situatës pothuaj janë shuar, ndërsa me ankth presin dhe marrëveshjen përfundimtare Kosovë- Serbi.

Tv Klan