Ka nisur takimet e para për të konkretizuar vendimin e marrë në bllok nga opozita e bashkuar për djegien e mandateve. Lideri demokrat Lulzim Basha, e nisi këtë të martë me një takim në selinë blu me kreun e Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani, njëherësh ish-president. Do të jetë pikërisht ky këshill që do të marrë përfundimisht vendimin për djegien e mandateve të deputetëve.

Në një prononcim për gazetarët pas takimit, kryedemokrati Basha tha se nga e enjtja nuk do të ketë më parlament. Ditë kur opozita, pas tubimit të së shtunës para kryeministrisë, do të mblidhet në një protestë tek parlamenti.

"Nuk ka kthim prapa, nuk është thjesht djegie mandatesh, nuk do ketë më parlament, nuk do ketë parlament fasadë, ata mund të mblidhen të marrin vendime dhe shqiptarët do i përgjigjen. Ne do të jemi krah qytetarëve", tha Basha.

I dha sqarim edhe qeverisë tranzitore: Dorëheqja e Ramës dhe hetimi i tij.

Detyra e parë e qeverisë tranzitore - tha Basha - "do të jetë të arrestojë politikanin e kapur në vjedhje votash, Vangjush Dako, kryebashkiak i Durrësit".

"Qeveria e ndalon arrestimin e tij, duhet të mos ketë asnjë ndërhyrje politike si ajo e Ramës për të mos arrestuar Dakon. Një nga arsyet e shkarkimit të Xhafës ishte që për luftën e klaneve rrezikoi arrestimin e Vangjush Dakos. Damian Gjiknuri që është kapur duke vjedhur vota duhet të shkojë në burg", përfundoi kryetari i Partisë Demokratike.