Një mjek është goditur me tullë në kokë pasditen e sotme në spitalin e Durrësit. Paraprakisht raportohet se mjeku Gerald Kola u godit teksa kishte ndërhyrë për të ndarë tre persona, të cilët po ziheshin në ambientet e spitalit.<br /><br />Gazetari i Report Tv në Durrës, Artur Korriku thekson se tre personat, dy nga të cilët ishin nga e njëjta familje kishin të afërmit e tyre të shtruar në spital. Familjari i një tjetër pacienti u kërkoi dy personave të tjerë që të mos diskutonin me zë të lartë dhe në këtë moment, përplasja nga verbale ka përfunduar në fizike.<br /><br />Mjeku Kola ka ndërhyrë për t'i ndarë, por njëri prej tre personave e ka qëlluar me tullë në kokë duke i shkaktuar dëmtime. Mjeku ka marrë plagë në kokë dhe në pjesën e gojës nga goditja, ndërsa po mjekohet dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.