Reshjet e dëborës që përfshinë veriun dhe verilindjen janë ndërprerë, por temperaturat vijojnë të jenë tepër të ulëta. Termometri gjatë natës zbriti në minus 11 gradë Celsius. Sipas Autoritetit Rrugor, në qarkun e Korçës qarkullimi bëhet pjesërisht me zinxhirë në akset Qafa e Qarrit Korçë-Ersekë, si dhe në rrugën e Dardhës.

Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve edhe në kilometrin e fundit të aksit Ura e Cerenecit-Steblevë.

Era e fortë ka shkaktuar probleme në trafikun detar. Një traget në Durrës pati vështirësi në ankorim, duke qëndruar për 3 orë në det të hapur.

Ndërsa në Lezhë, era e fortë rrëzoi disa pemë. Heqja e tyre nga rruga do të lehtësojë edhe ndërhyrjet në rrjetin elektrik.

Shkodra dhe Burreli janë dy qarqet që vijojnë të kenë probleme me energjinë elektrike, pasi era e fortë ka dëmtuar rrjetin.

Moti i keq shkaktoi edhe dy viktima përgjatë të shtunës, ku dy të rinj në fshatin Buzhalë të Pukës u rrëzuan për shkak të erës së fortë.

Po ashtu si pasojë e erës, 4 kamionë të tonazhit të rëndë u përmbysën në aksin Lezhë-Milot, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

Tv Klan