Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet dhe ka marrë të pandehur ish- ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Gjithashtu të pandehur do të jenë edhe 3 ish-zyrtarët e lartë të policisë së Vlorës Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta pohon se sipas burimeve nga prokuroria ndaj Saimir Tahirit dhe tre ish-zyrtarëve të lartë të policisë së Vlorës rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Avokati i Jaeld Çelës, Petrit Ismaili pritet që të paraqitet ditën e sotme në Prokurorin e Krimeve të Rënda për t'u njohur me akuzën. Ndërsa Tahiri do të paraqitet ditën e nesërme në orën 13:00 për t'u njohur me akuzat e ngritura nga Prokuroria. Tre prokurorët e dosjes janë Arenc Çela, Vladimir Mara dhe Dritan Prenci.

Saimir Tahiri ka qenë në hetim edhe nga prokuroria italiane nga prokuroria e Catania-s me akuzën e trafikut të drogës mbi bazën e përgjimeve të çështjes Habilaj. Në përgjime flitej për 30 mijë euro që grupi Habilaj kishte për ti dhënë një personi me emrin SAIMIR dhe bizhuteri gruas së tij.

Por, pas hetimeve prej më shumë se një viti prokuroria italiane nuk gjeti prova që implikojnë ish-ministrin shqiptar të Brendshëm duke kërkuar arkivimin ose mbylljen e çështjes, ndërsa në Shqipëri vijuan hetimet mbi akuzën e korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës, ndërsa sot hetimet janë mbyllur dhe dosja është dërguar në gjykatë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.