Është turp për Europën nëse pranon integrimin e Shqipërisë në këto kushte. Kështu u shpreh lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas një takimi që pati me drejtorin e Politikave të Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Christian Danielson, në kuadër të vizitës së tij në Tiranë. Zyrtari i lartë i BE-së, takoi fillimisht anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, më tej kryeministrin Edi Rama me disa anëtarë të qeverisë, dhe në përfundim, liderin e opozitës jo parlamentare Lulzim Basha dhe aleatët. Pas takimeve, Danielsson dha njoftime të shkurtra në Twitter, mbi atë se çfarë kishte biseduar në takimet e veçanta me palët. Nuk pati asnjë prononcim nga ana e kryeministrit Rama, apo anëtarët e Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

I vetmi që i parapriu konferencës për mediat që Danielsson mbajti për të paraqitur detajisht qëndrimet e tij, ishte Lulzim Basha

Sapo përfundoi takimin në zyrat e BE-së, aty ku Danielsson vetëm pas pak çastesh niste konferencën, Basha dha një prononcim të gjatë për gazetarët. Tha se i kishte paraqitur zyrtarit të BE-së, situatën e vështirë ku sipas tij ndodhet vendi, dhe se qeveria duhet larguar nga pushteti pasi siç ai theksoi është e lidhur me krimin. Foli për herë të parë për ndryshime të nevojshme të kushtetutës, të miratura në 2008-ën nga PS dhe PD që udhëhiqej nga Sali Berisha në atë kohë. Tha se duhet shembur i gjithë sistemi, dhe se për këtë i duhej vullneti politik. Një vullnet që sipas Bashës do të demostrohet vetëm nëse vihen para përgjegjësisë ligjore politikanët e përfshirë në dosjet hetimore "339", dhe "184", të shit-blerjes së votave në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.

Por teksa fliste para gazetarëve, bëri edhe një deklaratë që kalon përtej përgjegjësive të tij, e deri diku ndërron rolet me vetë zyrtarin e lartë të Bashkimit Evropian, që në muajin qershor shtetet anëtarë të këtij Unioni do na japin notën vlerësuese nëse Shqipëria e meriton integrimin në familjen evropiane apo jo.

Tha se do ishte tup për Europën nëse pranonte një vend si Shqipëria.

"Sot jemi në një autokraci në një vend të zgjedhur nga krimi dhe jo nga qytetarët me një kryeministër bashkëpunëtor të krimit. Kështu nuk shkohet në Europë dhe këtë e di çdo europian. Futja në Europë e një vendi që sundohet në shumë aspekte njësoj si Venezuela do të ishte turp i Europës. Beteja jonë është një betejë për Shqipërinë europiane dhe Europa e vërtetë nuk ka aleat më të mirë dhe garanci më të madhe se PD dhe aleatët e saj që do vazhdojnë betejën për çlirimin e vendit nga krimi i organizuar"