Nesër është Dita e Verës. Kryeqendra e festimeve do të jetë Elbasani, ndërsa mbrëmjen e sotme në këtë qytet do të jetë edhe kryeministri Edi Rama që do të organizojë një darkë me qeverinë, kryesinë e partisë dhe deputetët për situatën politike dhe angazhimet. Por duket se vizita e kreut të qeverisë ka përçarë Partinë Demokratike për mënyrën e pritjes. Ish-deputeti Endri Hasa përmes një postimi në rrjetet sociale ka postuar një pankartë me mbishkrimin 'Rama ik' mbi një urë, ndërsa shton se Elbasani pret këdo përveç Ramës.<br /><br />"Elbasani mirëpret këdo sot dhe nesër për natën e ditën e verës por i thotë IK kryebanditit që ka marrë peng vendin. Shqipëria është e njerëzve dhe banditët duhet të largohen! RAMA IK! 16Mars" shkruan Endri Hasa, ish-deputet i PD-së, që u zgjidh në këtë qark në zgjedhjet e 2017, por para një muaji dogji mandatin. Por i një tjetër mendimi është kryetari i degës së PD-së në këtë qytet, Eugen Isaj thotë se këta e meritojnë që ti përzësh, por Elbasani e respekton ditën e verës dhe mikpritjen duke shtyrë ballafaqimin në 16 mars para Kryeministrisë.<br /><br />"Vitet e fundit kjo festë ka nisur të zbehet dhe arsyeja është varfëria. Flitet që sot kryeministri dhe shpura e tij do të vijnë në darkë në Elbasan, do vijnë, do të hanë dhe do të pinë e do të ikin, nuk është se respektojnë festën tonë të dashur, por thjeshtë duan ta përdorin. Këta e meritojnë që ti përzësh nga Elbasani, por ne e respektojmë ditën e verës, ne e respektojmë mikpritjen dhe ballafaqimin me ne do ta ketë në 16 mars" deklaroi kryetari i PD në Elbasan, Eugen Isaj.