Avokati i njohur, Ravik Gurra, u ekzekutua mbrëmë në një atentat mafioz në mes të qytetit të Elbasanit duke u vrarë me silienciator me një plumb në kokë. 50-vjeçari, mbrojtës ligjor i një prej fiseve më të njohura në Elbasan, Çapjave, ishte ulur në një lokal shumë pranë Kalasë së Elbasanit, kur një person është afruar në këmbë dhe e ka qëlluar me armë në kokë duke e lënë të vdekur në vend. Bashkë me të në tavolinë ishte edhe një ekspert i Avokatit të Popullit, i cili nuk ka marrë lëndime. Autori më tej i ndihmuar edhe nga një tjetër u largua me një automjet Mercedez Benz me targë AA 934 HU, e cila u gjet e djegur nga policia në Bradashesh, pak pas krimit të rëndë.<br /><br />Më tutje, autorët dyshohet të jenë arratisur me një tjetër automjet, dhe deri më tani, edhe pse janë ngritur postblloqe të shumta, nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Për shkak se i ndjeri ishte avokat, vrasja e tij do të hetohet nga Prokuroria për Krime të Rënda në Tiranë për akuzën e "Vrasjes së funksionarëve publikë". Prokurori Behar Dibra ka qenë mbrëmë në vendin e ngjarjes për një sërë veprimesh hetimore.<br /><br /> Dy drejtimet ku po fokusohen hetimet janë hasmëritë mes dy bandave kriminale në Elbasan, pasi kujtojmë se Gurra ka mbrojtur në Gjykatë disa nga anëtarët e fisit Çapja. Ndërsa pista tjetër ku po hetohet është ajo për shkak të detyrës, pasi Ravik Gurra ishte pjesë e mbrojtjes ligjore në procesin gjyqësor kundër Emiljano Shullazit. Policia kriminale ka shoqëruar dhjetëra persona në Elbasan ndërsa janë sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë të bizneseve përreth vendit të krimit.
