Lufta mes bandave shënon dy viktima të radhës në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë. Dy vëllezër, Astrit dhe Ibrahim Bilali, 59 dhe 61 vjeç, u ekzekutuan me breshëri plumbash kur sa po dilnin nga banesa e tyre në lagjen "Kiras". Një atentat i mirëfilltë mafioz. Astrit Bilali eshte babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit "Bajri" në Shkodër, ndërkohë që grupi kundërshtar i tyre janë Licajt. Dyshohet që pikërisht lufta mes këtyre bandave të këtë sjellë viktimat e radhës.

Astrit Bilali ishte një biznesmen i njohur në qytetin e Shkodrës. Kishte në pronësi të tij një resort hipizmi, pasion të cilin ja ka trasëguar edhe djalit të tij, Astmer Bilali. Ndërkohë edhe Ibrahim Bilali është ish-kampion i hipizmit.

Astmer Bilali ish boksier i Vllaznisë, ra në qendër të vëmendjes së mediave kohë më parë kur mbeti i vrarë në një atentat shoku i tij Arjan Ferracaku teksa kalëronte pikërisht në resortin e Astrit Bilalit. Në ngjarjen e rëndë, Astmer Bilali ndodhej me Ferracakun kur ai mbeti i vdekur nga plumbat në distancë, dhe u dyshua se ishte pikërisht Bilali shënjestra e autorëve që ngatërruan objektiv. Të dy ishin duke kalëruar në resortin e hipizmit në pronësi të babait të Astmerit, sot i ekzekutuar në qendër të Shkodrës bashkë me vëllain e tij.

Atentati i dyfishtë ndodhi rreth orës 09:45, në vendin e quajtur "Zooteknika". Policai thotë se autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa menjëherë pas ngjarjes, pak metra larg vendit ku u vranë vëllezërit, në një rrugicë të lagjes, autorët dogjën makinën e krimit me targë AA369RV.

Në ndihmë të Policisë së Shkodrës janë vënë forcat FNSH Shkodër, ku janë ngritur pika kontrolli, si dhe po bëhet krehja në një perimetër të gjerë të zonës me qëllim kapjen e autorëve.