Familjarë dhe të afërm i kanë dhënë lamtumirën e fundit, Admir Muratajt, grabitësit që humbi jetën dy ditë më parë në një shkëmbim zjarri me policinë në Rinas. Ceremonia e varrimit u mbajt në orën 12:00, në në fshatin Çerem, të Tropojës.

Siç mund të shikohet në videot e siguruara nga Shqiptarja.com, veç familjarëve të shkuar nga Tirana kanë marrë pjesë edhe banor të fshatit të lindjes së Admir. Për shkak të refuzimit të lejes nga drejtoria e Burgjeve, vëllai tjetër i grabitësit, Aleksandër Murataj, i burgosur te 313, nuk është lejuar që të udhëtojë drejt Tropojës. Më herët, në një lidhje telefonike për Report Tv, Murataj u ka bërë apel drejtuesve që t'ia marrin parasysh kërkesën e tij, por kjo kërkesë nuk u pranua.

Admir Murataj u vra dy ditë më parë, pas një grabitje spektakolare brenda në aeroportin e Rinasit, në barkun e avionit ku po futeshin thasët me para të 4 bankave të nivelit të dytë në Shqipëri për tu transportuar drejt Vienës. Furgoni i grabitësve, që mendohet të kenë qenë katër veta, u ndoq nga policia pas grabitjes, ku pati shkëmbim nga të dyja palët duke lënë të vrarë Admir Muratajn.

Admir Murataj njihet ndryshe edhe si Admir Nikaj dhe është me origjinë nga Tropoja. Eshtë i martuar me një grua nga Berati e cila jeton me fëmijët në Prezë të Tiranës. Kanë dy vajza, njëra prej të cilave e martuar, dhe një djalë. Siç të afërm të tij tregojnë për Shqiptarja.com, Murataj kishte 18 vite që jetonte në Greqi, dhe vinte shumë rrallë në Shqipëri, vetëm gjatë pushimeve verore.