Disa javë pas vizitës së përfaqësuesve të saj në Tiranë, OSBE njoftoi ardhjen e 272 vëzhguesve për të ndjekur zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.

22 prej tyre do të jenë me mision afatgjatë duke nisur që nga përgatitjet e fushatës, ndërsa 250 të tjerë do të shohin nga afër procedurat e ditës së zgjedhjeve, përfshirë votimin, numërimin dhe shpalljen e rezultatit.

Në një raport paraprak të publikuar një ditë më parë OSBE e vë theksin tek klima e polarizuar politike që mund të dëmtojë procesin.

"Ka një shkallë të lartë të polarizimit dhe mosbesimit midis partive politike dhe politizim të institucioneve që mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e zgjedhjeve. Bashkëbiseduesit kërkuan vëzhgues të mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha aspektet e procesit dhe vendosën një theks të veçantë në administratën e zgjedhjeve, fushatën dhe mbulimin e saj nga media, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe procedurat e ditës së zgjedhjeve".

OSBE thotë se politika shqiptare dështoi në gjetjen e konsensusit sa i përket reformës zgjedhore për shkak të mungesës së vullnetit politik. Sipas saj, shumë rekomandime zgjedhore të OSBE/ ODIHR nga zgjedhjet e 2015 dhe 2017 mbeten ende të paadresuara.

Tv Klan