"Ka mbërritur në Presidencë dosja e Ministrisë së Arsimit, e cila i kërkon shkarkimin e rektorit tashmë të pezulluar Mynyr Koni. Presidenti ka afat një muaj që të dekretojë ose jo shkarkimin e Mynyr Konit, nëse brenda kësaj periudhe Presidenti Ilir Meta nuk shprehet, atëherë rektori Mynyr Koni shkarkohet".

Burime pranë Ministrisë së Arsimit thanë për Televizionin Klan se pas vendimit për pezullimin nga detyra të Rektorit Mynyr Koni, Ministrja Besa Shahini dërgoi në Presidencë dosjen për shkarkimin e tij, pas konstatimit sipas saj, të shkeljeve të rënda ligjore. Në raportin e auditit, në Shtator të vitit 2018, thuhet se Rektori i Universitetit të Tiranës nuk është mjaftuar me kompetencat akademike, por ka dashur të mbajë edhe kompetenca administrative që me ligj nuk i takojnë, si dhe ka penguar funksionimin e sistemit të teknologjisë informative në universitete.

Urdhrin e Ministres për pezullimin dhe shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës e mbështetën edhe 4 dekanët e fakulteteve të Ekonomisë, Drejtësisë, Shkencave Sociale dhe Gjuhëve të Huaja. Sipas tyre, nga ana e Rektorit Mynyr Koni janë bërë shkelje të rënda në marrëveshjet me projektet europiane, janë nënshkruar kontrata financiare, si dhe janë punësuar njerëz në kundërshtim me ligjin.

Rektori Mynyr Koni u kritikua disa herë edhe nga kreu i qeverisë Edi Rama, për të cilin ka thënë se ka keqkuptuar autonominë universitare. Por të gjitha këto akuza, Koni i ka hedhur poshtë duke e konsideruar shkarkimin e tij të motivuar politikisht.

Në krye të rektoratit të Tiranës është caktuar Zv/Rektori Bernard Dosti, i cili sipas Ligjit të Arsimit të Lartë i jep të drejtë të qëndrojë në krye të këtij institucioni deri në 6 muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjeve për kreun e ri të rektoratit.

Tv Klan