Mazhoranca dhe opozita e re parlamentare, do të nisin së bashku rrugën për reformën zgjedhore, ku pika më e fortë e saj pritet të jetë ashpërsimi i dënimit për shit-blerjen e votës, dhe një kërkesë e opozitës për ndryshimin e sistemit duke propozuar modelin e listave të hapura.

Në këtë seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë votoi ngritjen e komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili nga 18 anëtarë, ka një numër më të reduktuar, 12 anëtarë, me pjesëmarrje të barabartë nga mazhoranca dhe dy grupet e reja parlamentare, atij demokrat të kryesuar nga Rudina Hajdari, dhe atij të deputetëve të pavarur, Nimet Musai. Bashkëkryetar do të jetë Damian Gjiknuri nga PS dhe Korab Lita nga PD.

Rudina Hajdari, e cila u caktua anëtare e komisionit, sot në seancë plenare tha se grupi i demokratëve do të propozojë ndryshimin e sistemit, ndërsa u ndal veçanërisht në tre amendamente.

Eliminimi i shit-blerjes së votës, ndalimi i përdorimit abuziv të fondeve publike dhe mbrojtja e listave zgjedhore dhe çdo tentative manipulimi.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i bëri apel anëtarëve të rinj të komisionit që të lënë mënjanë flamurin e partisë dhe të punojnë për reformën zgjedhore, e cila veç rekomandimeve të OSBE-ODHIR që është themeli i saj, prite të shtojë edhe garantimin e votës së emigrantëve.

"Të ketë një diskutim të hapur me të gjithë aktorët politik në vend", tha Balla në apelin e tij.

Në një linjë me Rudina Hajdarin ai tha se duhet ashpërsuar ndëshkimi shit-blerja e votës,ndërsa nuk ndali sulmin ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke e cilësuar partinë "me damkën më të turpshme të blerjes së votës". Referuar paralajmërimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha , dhe jo vetëm, për një përsëritje të '97-ës dhe pengim të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019, Balla tha se do të ndëshkohen me 8 vite burg, kushdo që tenton të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve.

Megjithatë, ai nuk la pa përmendur edhe apelin e përsëritur ndaj opozitës tashmë jo parlamentare, PD-së, për tu bërë pjesë e reformës zgjedhore. "Paraardhësve u kam thënë merrni një letër të bardhë dhe shkruajeni si të doni reformën zgjedhore dhe ne do ta miratojmë, sepse e rëndësishme është që të zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike", - tha Balla.

Edhe në komisionin e ri për reformën zgjedhore, PD-së, i është lënë një vend bosh në rolin e vëzhguesit në procesin e Komisionit parlamentar që ka një mandat 6 mujor, deri në nëntor. Kjo do të thotë se ndryshimet e propozuara në sistemin zgjedhor nuk do të mund të futen në fuqi në zgjedhjet e 30 qershorit të cilat PD, LSI dhe disa aleatë të Bashës i kanë bojkotuar.