Teksa opozita duket e vendosur për të mos kandiduar përballë socialistëve për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të paktën 6 persona kanë nisur procedurat për të kandiduar si të pavarur.

Mes tyre, ka emra të rëndësishëm të lidhur drejtpërdrejt me Partinë Demokratike dhe me opozitën.

Në bashkinë Klos, ka kryer hapin e parë juridik për të kandiduar si i pavarur Bedri Hoxha. Ai ka qenë deputet i Partisë Demokratike, deri në vitin 2017 kur Basha vendosi të mos e kandidonte më. Hoxha kërkon të drejtojë bashkinë Klos, një bastion të djathtë, për të cilën PS nuk ka ende një kandidat të përcaktuar.

Në Bashkinë Sarandë është regjistruar komitet Nismëtar për të mbledhur firma për kandidatin Ilir Nikolla. Ai ka qenë nënkryetar i Partisë Demokratike në Sarandë dhe ka aspiruar në zgjedhjet e fundit për t;u bërë kryetar i degës. Kjo nuk u realizua, çka mund të ketë ndarë Nikollën nga PD.

Një kandidat i pavarur ka nisur procedurat edhe për bashkinë e Himarës. Ai është Fredi Beleri, që i regjistruar zyrtarisht rezulton me emrin Dhionisios Beleri. Edhe ai ka nisur mbledhjen e firmave mbështetëse, teksa më herët ka qenë kandidat i PBDNJ-së, parti e cila ka nënshkruar tashmë me Bashën.

Në Kurbin ka nisur mbledhjen e firmave Nikoll Lleshi, një pensionist që dikur ka përfaqësuar Partinë Komuniste. Ndërsa në Berat, po punon për të kandiduar si i pavarur Plarent Aleksi, i cili nuk ka ndonjë lidhje në të shkuarën me parti politike, por edhe herë të tjera ka paraqitur kandidimin si i pavarur.

Kandidati i 6-të i pavarur ka nisur procedurat në Devoll. Ai është Fezi Shaholli.