Partitë aleatë të Partisë Demokratike kërkojnë ndryshim të Kushtetutës dhe thuajse të gjitha institucioneve qeverisëse në vend. Në platformën e aleatëve për të arritur një marrëveshje kushtetuese që kërkon ndryshim të Kushtetutës, dhe votimin në Parlament, kërkohet që për një periudhë 15-vjeçare, gjashtë muaj para zgjedhjeve të formohet një qeveri kujdestare, duke përcaktuar me ligj formën, kriteret e përfaqësimit dhe detyrat e saj.

Po ashtu, kërkohet ndryshim i reformës zgjedhore, me argumentin se është deformuar nga kryeministri Edi Rama, rishikim të reformës administrative, dhe reformim të sistemit zgjedhor me lista të hapura.

Presidenti të zgjidhet nga populli dhe jo mazhornaca politike, kryeministrit dhe deputetëve t'i kufizohet mandati, ndërkohë që kërkohet edhe kryerja e testit të drogës për Presidentin, Kryeministrin dhe deputetët.

Teksa theksojnë se nuk ka asnjë gjasë që të marrin pjesë në zgjedhje, pa u garantuar që ato të jenë të lira dhe reale siç ata shprehen, i kërkojnë Presidentit Meta që të ulë opozitën dhe mazhorancën në tryezë.

Kjo tryezë, sipas 5 partive opozitare, duhet të vlerësojë kushtet dhe kërkesat e OSBE/ODHIR për të shmangur shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe përdorimin e administratës shtetërore, kontrollin mbi territorin dhe procedimin e grupeve kriminale, të cilat janë evidentuar në shitblerjen e votës.

Platforma përfshin edhe përcaktimin e një date për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, me një qeverisje tranzitore me dakordësi politike.

Po ashtu aleatët e Bashës i kërkojnë tryezës së Presidentit vlerësimin e procedimit penal nga ana e Prokurorisë të dosjeve të bëra publike nga media për manipulimin e zgjedhjeve.

Duke ngritur shqetësimin për mosfunksionim e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, aleatët kërkojnë krijimin e një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe dhomë e përfaqësuesve. Senati të marrë një pjesë të funksioneve të Gjykatës së Lartë, dhe pjesën tjetër të funksioneve të kësaj gjykate, t'i marrë Gjykata e Lartë.