TIRANE-Kosovari i arrestuar për grabitjen në aeroportin e Rinasit, Ragip Haxhihajdini i njohur edhe me pseudonimin 'Daja' është lënë në burg pa afat nga gjykata, ndërsa ka mohuar akuzat.

Shqiptari nga Kosova u zbulua nga dëshmia e Alkond Bengasit, i penduari që u bë bashkëpunëtor i drejtësisë duke sjellë zbërthimin e plotë të grupit kriminal. Por 'Daja' ka mohuar përfshirjen në grabitje dhe ka kërkuar ballafaqim me të penduarin Alkond Bengasi.

"Nuk kam asnjë lidhje me Alkond Bengasin dhe grabitjen. Me familjen Murataj kam lidhje për shkak të njohjes me Aleksandrin (ndodhet në burg). Prej një jave e shihja në TV ngjarjen dhe mund të kisha ikur po të doja" mësohet se ka thënë ai. Në fund Gjykata për Krime të Rënda vendosi masën e sigurimit personal të arrestit me burg pa afat ndaj 50-vjeçarit Ragip Haxhihajdini.

Deri tani janë arrestuar gjashtë persona për grabitjen. Përpos 'Dajës' nga Kosova Ragip Haxhiajdini, janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë; Oltion Veseli dhe Elton Pikli, të dy nga Kruja dyshohet se janë autorë, ndërsa Alkond Bengasi (i penduar i drejtësisë), Saimir Çela dhe Renaldo Sula akuzohen si bashkëpunëtorë.

Në kërkim janë; Talo Çela, Klement Çala, Eldi Çala, Marenglen Hoxha, ish-punonjës policie, Aleks Pepa dhe një tjetër. Ndërkohë që koka e grupit, Admir Murataj nga Tropoja, i arratisur në 2013 nga burgu grek u vra gjatë shkëmbimit me policinë.