Sikur në vitin e largët 1925 do të kishim mundësinë të intervistonim arkitektin italian Armando Brasini për planin e tij rregullator që "veshi" Tiranën me Bulevardin, ministritë, stadiumin, e ndërtesat që vlerësojmë dhe ruajmë sot, besoj do të ishim të lumtur. Po ashtu, nëse do të pyesnim Giulio Berte'-në për Teatrin Kombëtar që ai ndërtoi për tjetër gjë njëherë e një kohë e që sot do të zëvendësohet nga Teatri i Bjarke Ingelsit. Po Gherardo Bosio që projektoi të famshmin stadium "Qemal Stafa", çfarë do të mendonte për arkitektin fiorentin Marco Casamonti që po bën Arenën Kombëtare sot?

Italianët, në kohë të kohëve, kanë veshur me estetikë Shqipërinë ose kanë kërkuar thellë saj, si arkeologu Luigi Maria Ugolini, zbulues i Butrintit e Foniqit të lashtë.

Sot, në Tiranë, hap studion e tij një tjetër ekselencë e arkitekturës italiane e botërore, Stefano Boeri, me veçantinë e tij dhe ndjeshmërinë që e bën të ndryshëm mes shumë arkitektëve të njohur në botë: Dashurinë dhe pasionin për gjelbërimin.

Situata e ndezur politike, përplasjet e përhershme mes shqiptarësh që nuk e mendojnë njësoj, nuk na japin kohën e duhur të shijojmë ashtu siç duhet evente të rëndësishme. Plani rregullator Tirana 2030, projektuar nga Stefano Boeri, është një himn për ringjalljen e natyrës pranë qendrave të banimit. Jemi me fat që një arkitekt italian me këto përmasa e këtë vizion, ka "qëndisur" kryeqytetin e të ardhmes, që besoj, brezat që do të vijnë do ta admirojnë e do të jenë krenarë. Përplasjet dhe kontradiktat e sotme na bëjnë të mos vëmë re e të shohim se si para nesh po merr jetë një e ardhme që ende qytete e kryeqytete të vendeve edhe më të zhvilluara se ne sot ende po e diskutojnë: Natyrën në qytet. Bashkëjetesën me gjallesa që ishin larguar dhe gjelbërimin e zonave të banuara, tema që po preken nga ambjentalistë sot kudo në botë. Temë për të cilën vogëlushja Greta Thunberg po bën një betejë: Atë të rigjelbërimit dhe të shpëtimit të Planetit tonë të shtrenjtë.

Për Tiranën, Shqipërinë dhe të ardhmen e saj në Europë folëm me arkitektin Stefano Boeri, i cili, mes kaosit e zhurmës sonë arrin të shohë jo vetëm të bukurën mes nesh, por edhe vlerat që si Shqipëri e si komb kemi për në Evropë.