Një regjisor i talentuar i Akademisë së Artit "Marubi", Rigers Plaka, sjell në një dokumentar historinë e jashtëzakonshme të rënies së avionit amerikan me 12 mjekë dhe 30 infermiere në një nga liqenet e Belshit, në të largëtin 8 nëntor 1943.
Avioni ushtarak që do të shkonte në Bari, Itali, u godit nga gjermanët dhe piloti amerikan e drejton atë me mjeshtëri drejt Shqipërisë duke bërë uljen e detyruar në Liqenin e Çestijes, një prej 80 liqeneve të zonës së Belshit.
Të parët që i gjetën ishin fshatarët Belshiotë. Sot i moshuar, belishioti Xhavit Elezi dhe shokët e tij Zyber Kasa, Selim Kullolli i panë e i takuan të parët.
Mjekët dhe infermierët, të trembur, donin të dinin nëse në zonë kishte gjermanë. "Jo! I siguruan fshatarët", dhe i strehuan nëpër shtëpi.
Por historia nuk mbaron këtu. Gjithë aventura për t'u kthyer në Bari, Itali, operacionet speciale për marrjen e tyre nga agjentë amerikanë, sulmi i Beratit nga Gjermanët dhe mbrojtja e amerikanëve nga ana e popullsisë, bënë që asnjëri prej tyre të mos cënohej e të kthehej nga Vlora në Bari shëndoshë e mirë.
Por pas çlirimit dhe vendosjes së komunizmit, inati i Enver Hoxhës me "imperialistët" amerikanë ishte i pakufi. Pushkatoi intelektualin beratas Kostaq Stefa, pasi me anglishten e tij dhe me ndihmën e tij shpëtoi amerikanët. Edhe pse partizanë dhe ballistë u mobilizuan për të përcjellë mjekë e infermiere nga Berati në Vlorë, shëndoshë e mirë, për Enverin kjo s'kishte rëndësi.
E gjithë kjo histori e mrekullueshme u mbajt sekrtet nga amerikanët deri në vitet '90. Ata kishin urdhër të mos flisnin pasi diktatura shqiptare mund të hakmerrej ndaj fshatarëve belshiotë siç bënë me intelektualin beratas Kostaq Stefa.
Dokumentari i përgatitur nga Rigers Plaka me ndihmën edhe të Artur Metës, specialistit të Trashëgimisë pranë Bashkisë së Belshit, është i mbushur plot me foto, dëshmi e video që tregojnë një gjë mbi të gjithë: Zemrën e artë të shqiptarëve ndaj njerëzve të rrezik.