Një 25-vjeçar, Viktor Shkorreti, u vra këtë mbrëmje në qytetin e Laçit. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të stadiumit në Laç - Kurbin.

Nga sa raportohet paraprakisht disa persona, bashkëmoshatarë të tij, kanë dashur të parkojnë në vendin ku po linte makinën, viktima, 25-vjeçar. Mes tyre ka nisur një sherr, janë përleshur me njëri-tjetrin, dhe njëri nga të përfshirët në ngjarje ka nxjerrë armën automatike duke qëlluar me breshëri ndaj tij. Megjithatë, dinamika e ngjarjes pritet të zbardhet nga policia, e cila ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Po ashtu janë ngritur post-blloqe të shumta për të bërë të mundur kapjen e autorëve të dyshuar.

"Në ndihmë të Policisë Vendore, për të bërë të mundur zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes, janë nisur një grup specialistësh nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale. Shërbimet e Policisë të Lezhës, të Komisariatit të Policisë Kurbin dhe FNSh, po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit/eve", thotë policia në një njoftim paraprak për ngjarjen, ku gjithashtu thotë se rrethanat janë ende të paqarta.

Viktima Viktor Shkorreti, me origjinë nga Mirdita kishte disa vite që jetonte bashkë me familjen e tij në qytetin e Laçit.

Sot qyteti i Laçit ishte epiqendër e shumë qytetarëve, të cilët e vizituan pasi sot shënohet e marta e fundit e Shna Ndout. Me mijëra pelegrinë shkuan në Kishën e Shna Ndout për të kaluar aty natën.