Çifti i të moshuarve që u dhunuan dhe u grabitën në Vuno të Himarës para dy netësh, Kolo dhe Efigjeni Proto 85 dhe 80-vjeç kanë folur ekskluzivisht për Report Tv, duke treguar me lot në sy për gazetarin Armand Xhelili ngjarjen. Tortura e ushtruar ndaj 85-vjeçarit Kolo Proto në Vuno të Himarës, i kalon të gjitha kufijtë e njerëzores. 85-vjeçari tregon shenjat e dhunës që ushtruan grabitësit me hekur, ndërsa më pas i lidhën.

Me trup, krahë dhe fytyrë të nxirë nga goditjet me çelës papagall, ai thotë se hajdutët në momentin që ishin futur në banesë u thanë që të mos tremben se ishin policë dhe se kishin ardhur për të bërë një kontroll, por në momentin që hasën rezistencë e goditën me çelës dhe çekiç. Kolo Proto shprehet se i tha njërit prej autorëve që e dhunoi që nëse ishte shqiptar ta vriste dhe të mos e torturonte. Ai tregon se autorët i grabitën 800 eurosh dhe një shumë lekësh.

"Më vranë, ushtruan dhunë me një çelës anglez. Ishin dy persona. Njëri ushtroi dhunë dhe tjetri kontrolloi dhe mori atë që gjeti. Kishte kaluar ora 01:00 e natës. Ishim vetëm me gruan, në gjumë kur erdhën. Na kanë vjedhur dy herë. Radhën e parë morën vaj dhe raki. Këtë herë morën paratë, plot. Kur erdhën zunë këtë përpara në dorë (gruan) dhe na thanë 'mos u trembni, jemi policia'.

Unë bërtita, por të shkuara të harruara me kaq qoftë. Më lidhën këmbë e duar. Unë bërtisja ai më qëllonte me çekiç. Nuk mendoj se janë banorë të fshatit. Nuk kishin armë. I thashë në je burrë shqiptari më vra mos më torturo. Erdhi policia, por cfarë do të bënte policia?! Në Vuno janë bërë shumë vjedhje. Kur biem gjumë mbyllim dyert, nuk e di a kishin çelës tjetër" tha i moshuari.