Kanioni i Holtës, ishte destinacioni i fundit për 25-vjeçaren nga Lushnja, Desantila Sollaku.

E reja e humbi jetën teksa u përball me prurjet e rrëmbyeshme si pasojë e reshjeve të rëna ditët e fundit. Polumbarët e RENEA-s e gjetën trupin e pajetë të 25-vjeçares në dalje të kanionit.

Ajo ishte pjesë e një grupi prej 33 personash, mes të cilëve vëllai i saj 20 vjeç dhe një 50-vjeçar, mik i familjes, të cilët fatmirësisht u shpëtuan nga forcat e kërkim-shpëtimit.

Sikurse shihet edhe në pamje, pjesë e grupit të turistëve, ishin edhe disa fëmijë, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Forcat e kërkim-shpëtimit mundën të shpëtojnë edhe 4 persona të tjerë, të cilët rrezikuan mbytjen për shkak të prurjeve të shumta në kanionin e Holtës.

Policia e Shtetit në njoftimin zyrtar bën të ditur se 33 turistët nuk ishin pjesë e ndonjë guide turistike. Në kanion ata janë ndarë në dy grupe përkatësisht me 18 dhe 15 persona.

Mësohet se kanë qenë vetë ata që kanë dhënë sinjalin SOS, pasi ishin bllokuar në një pjesë të kanionit. Drejt vendngjarjes u nisën forca të shumta të policisë vendore por edhe pulmbarët e RENEAS. Pas disa orë kërkimesh ata mundën të gjejnë trupin e pajetë të 25-vjeçares ndërsa shpëtuan personat e tjerë që ishin në rrezik.

Tv Klan