DURRES - Me një vendim të papritur, ndryshe nga Gjykatat e rretheve të tjera që i kanë vërtetuar mandatet e kryebashkiakëve të tjetër të Partisë Socialiste në disa bashki, Gjykata e Durrësit nuk i ka dhënë vërtetimin e mandatit kryebashkiakes të zgjedhur më 30 qershor për bashkinë e qytetit bregdetar, Valbona Sakos.

Vendimi, të cilin Shqiptarja.com e disponon, argumenton se partia Bindja Demokratike, që çoi në garë përballë Sakos, Valbona Sakollarin, është regjistruar në Komisionin Qendorr të Zgjedhjeve përtej afateve ligjore në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Në vendim thuhet se Bindja Demokratike u regjistrua në Gjykatë më 25 prill, pasi kishte përfunduar afati për regjistrimin e subjekteve zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në këto kushte, Gjykata e Durrësit e vlerëson të pavlefshëm regjistrimin e partisë Bindja Demokratike në zgjedhjet e 30 qershorit. Po ashtu, Gjykata në vendimin e zbardhur, shpall të pavlefshëm edhe fletën e votimit për kandidatët për kryetar bashkië në Durrës, fletë ku kishte dy emra, Valbona Sakon nga PS dhe Valbona Sakollarin nga Bindja Demokratike. Në argumentin e tretë të vendimit, thuhet se edhe rezultati i votimit për zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Durrësit në zgjedhjet e 30 qershorit, është i pavlefshëm.

Me këtë vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë së Durrësit që mban firmën e gjyqtares Mimoza Margjeka, do të pritet edhe vendimi i Gjykatës së Apelit, i cili është i formës së prerë.

"Gjykata bazuar në nenin 60 pika 1 e ligjit 139/2015 për qeverisjen vendore, vendosi rrëzimin e kërkesës së kërkueses Valdbona Sako për vërtetimin e mandatit të Kryetarit të bashkisë Durrës", - thuhet në vendimin e Gjykatës së Durrësit, ndaj të cilit mund të bëhet ankimim në Gjykatën e Apelit të Durrësit brenda afatit ligjor 5 ditor, duke filluar nga e nesërmja, 18 korriku.