DURRËS- Policia ka vijuar aksionin anti-informalitet 'Plazhi i Lirë', ku këtë radhë në qytetin e Durrësit janë liruar rreth 6000 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen rreth 1000 çadra e shezlongë. Në këtë operacion janë proceduar penalisht edhe 2 pronarë të subjekteve të bllokuara që akuzohen për veprat penale "Fshehja e të ardhurave", "Mospagimi i taksave dhe tatimeve" dhe "Pushtimi i tokës". Ata janë Gj.K., dhe B.Sh., pasi nga kontrolli i ushtruar në plazhin në Sektorin Rinia, u konstatua se kishin zënë me çadra plazhi hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse dhe të pa pajisur me kasë fiskale. <br /><br />Ndërkohë njoftohet se operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, por jo vetëm, për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore.<br /><br />Kujtojmë se aksioni anti-infomralitet është shtrirë në të gjithë vendin ku deri më tani janë liruar mijëra metra katror plazhe publike që ishin zaptuar me çadra si dhe janë gjobitur e bllokuar biznese që kryenin evazion fiskal duke fshehur të ardhurat.