VLORE - Vrasës me pagesë dyshohet të jenë personat që qëlluan me armë ndaj Elius Thartorit, ish-mësues Fiskulture në Vlorë, që i shpëtoi një atentati të mirëorganizuar katër ditë më parë në qytetin bregdetar. Burime nga grupi hetimor thanë për gazetarin e Report Tv Armand Xhelili, se dyshohet që autorët të kenë qenë dy persona dhe të kenë qëlluar nga një distancë prej 70 metrash. Policia nuk gjeti gëzhojë në vendin e ngjarjes, dhe kjo hedh dyshime se autorët, ende të paidentifikuar, të kenë qëlluar me armë nga brenda makinës. Ndërkohë, targa e këtij automjeti që përdorën autorët, dyshohet të jetë e falsifikuar.

Elius Thartori u qëllua me armë teksa ndodhej në verandën e shtëpisë së tij, në prani të gruas dhe të foshnjes së tyre, 2 muajshe. Ka qenë mrekulli që gruaja dhe foshnja nuk kanë marrë asnjë dëmtim. Thartori mori vetëm një plumb ku pësoi dëmtime në mushkëri, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në prill të 2008, në moshën 17-vjeçare, Thartori, është dënuar me 10 vite burgim për vrasjen e njerkun e tij në Durrës, krim të cilin e ka kryer në shenjë hakmarrje, pasi njerku i kishte vrarë nënën. ?Shqiptarja.com? mëson se Thartori për një periudhë të shkurtër kohe gjatë kryerjes së dënimit në burgun e Korçës, ka marrë tre masa ndëshkimore, për shkak të sjelljes së tij agresive ndaj të dënuarve të tjerë.

Megjithatë, hetimet e prokurorisë nuk janë fokusuar tek vrasja e njerkut. Dyshimet janë se Elius Thartori është qëlluar nga persona që merren me aktivitet kriminal në tregun e drogës në Vlorë. Kjo pasi dhe vetë Thartori është i skeduar nga policia si person që merret me këtë aktivitet kriminal në zonën e Vlorës dhe gjithcka dyshohet të ketë ndodhur për prishje të pazareve.