Prokuroria e Përgjithshme ka bërë sot një sqarim zyrtar për hetimet që po kryen për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku i cili akuzohet nga Partia Demokratike se ka fshehur në formularin e dekrimalizimit një arrestim në Greqi në vitin 2003.

Organi i akuzës thotë se në 23 Gusht u ka nisur letra KQZ-së, Zyrës së Gjendjes Gjyqësore, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe INTERPOL-it.

Këto institucione kanë kthyer përgjigje me shkresa zyrtare në prokurori.

Një kërkesë ka shkuar edhe për 23 prokurori në rrethe për të verifikuar nëse ndaj Kajmakut ka pasur kallëzime, referime apo procedime penale nëse ka qenë ose jo nën hetim është caktuar ose jo ndonjë masë sigurimi, është dënuar ose jo, me vendim jopërfundimtar apo të formës së prerë për kryerjen e ndonjë vepre penale dhe deri tani janë marrë disa prej përgjigjeve.

Kajmakut i është kërkuar të depozitojë gjurmët e tij të gishtave, por për shkak se posta ka ngatërruar adresën ato janë marrë nga kompania ALEAT që i administron ato.

Prokuroria i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të komunikojë me autoritetet Greke të drejtësisë, me qëllim konfirmimin e autenticitetit të vendimit të Prokurorisë së Apelit Janinë të publikuar nga Partia Demokratike. Autoriteteve greke u janë kërkuar sqarime nëse për çdo vendimi penal të marrë ndaj Kajmakut apo shtetasit Jorgo Toto si dhe të krahasojë gjurmët e gishtave. Prokuroria e përgjithshme thotë se është në pritje të përgjigjes nga autoritetet greke të drejtësisë dhe atyre policore, të cilat janë vendimtare për marrjen e një vendimi.

Partia Demokratike thotë se Kajmaku e ka fshehur arrestimin me para të falsifikuara, por vetë kryebashkiaku i Vorës i zgjedhur në 30 Qershor i ka mohuar akuzat.f